TEKSTET E MIRATUARA PËR NXËNËSIT NË LUGINË

Është koha e fundit që Ministria e Arsimit (Serbi) të fillojë të merret me këtë çështje, ka komentuar Shukri Imeri, drejtor i shkollës fillore “Zenelj Hajdini” në Raincë të Preshevës, për marrëveshjen për tekstet në gjuhën shqipe në Serbi.


Marrëveshja për tekstet në gjuhën shqipe është arritur në mes të nëntorit nga përfaqësues të Ministrisë së Arsimit të Serbisë me përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit për detajet e kësaj marrëveshjeje, por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.

Problemi me tekstet në gjuhën amtare për shqiptarët në Serbi vazhdon prej dekadash. Kjo problematikë lindi pas përfundimit të luftës së Kosovës në vitin 1999, kur shkollat ​​në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk pranuan tekste shkollore nga Instituti për Tekste në Prishtinë për shkak të ndërprerjes së komunikimit me institucionet në Serbi.

Shukri Imeri, i cili ka qenë drejtor për një dekadë dhe më parë ka punuar si profesor i biologjisë për tetë vite, thotë se kolegët e tij ia dalin në mënyra të ndryshme që ta bartin njohuritë nxënësve.

“Për mësuesit është shumë e vështirë. Mësuesit kryesisht përkthejnë nga librat në gjuhën serbe në shqip ose bëjnë shkrime që nxënësit i kopjojnë dhe ne kështu ia dalim”, shpjegon Imeri.

Më 16 nëntor, zëvendëskryeministri i parë i Serbisë dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, Branko Ruzhiq ka thënë për Fonet se çështja e teksteve në gjuhën shqipe është zgjidhur përmes bisedimeve me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.

Foto: Tanjug / Strahinja Acimovic

Ruzhiq ka qenë pjesë e takimit të përbashkët në Bujanoc me ambasadorin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Jan Bratu, Ministrin e të Drejtave të Njeriut, Gordana Qomiq dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi.

Ministrja e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogut Social, Gordana Qomiq tha më 18 nëntor se në takim me përfaqësues të Këshillit Kombëtar dhe Ministrisë së Arsimit u ra dakord që të vendoset bashkëpunimi me Institutin për Vlerësimin e Cilësisë së Arsimit dhe të përshpejtohen procedurat për miratimin e teksteve shkollore për shkollat ​​fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe.

Instituti për Vlerësimin e Cilësisë së Arsimit është institucion publik, i cili merret me vlerësimin e arsimit dhe edukimit dhe jep rekomandime për ngritjen dhe sigurimin e sistemit të cilësisë së arsimit dhe edukimit.

“Është marrë vesh që miratimi i teksteve shkollor të ndodh deri në prill të vitit të ardhshëm, kur të publikohet katalogu i teksteve shkollore, në mënyrë që ato të jenë gati për nxënësit e gjeneratës së ardhshme”, tha Qomiq.

Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar ka konfirmuar për Radio Evropa e Lirë se është arritur një marrëveshje. Siç thotë ai, u arrit marrëveshje për 12 komplete tekstesh dhe shtatë tekste individuale për lëndë të ndryshme nga botuesi Albas nga Shqipëria.

Sipas tij, në vitin 2019, Këshilli Kombëtar ka propozuar një mekanizëm për sigurimin e teksteve nga Shqipëria bazuar në nenin 5 të Ligjit serb për tekstet shkollore, i cili jep mundësinë e përdorimit të një teksti shkollor në gjuhën dhe shkrimin e një pakice kombëtare të botuar në një vend të huaj, nëse miratohet nga autoritetet.

Në bazë të kësaj, këtë vit shkollor janë siguruar tekstet për klasën e parë, të dytë, të tretë, si dhe për klasën e pestë, të gjashtë dhe të shtatë të shkollës fillore, sqaron Mustafi.

“Ky vit ka qenë ndër më të suksesshmit sa i përket ofrimit të teksteve në dy dekadat e fundit dhe vitin e ardhshëm mendoj se do ta mbyllim ciklin e teksteve shkollore për shkollat ​​fillore, pra do të japim të paktën një tekst shkollor për çdo lëndë, “, thotë Mustafi.

Shukri Imeri, drejtor i shkollës fillore në fshatin Raincë të Preshevës, thotë se gjatë punës së tij në arsim ka pasur disa marrëveshje me Ministrinë e Arsimit lidhur me mungesën e teksteve në gjuhën shqipe, por kanë munguar rezultatet konkrete.

“Megjithatë, nuk do të doja të isha skeptik. Unë e mirëpres këtë marrëveshje dhe mendoj se është koha për ta zgjidhur atë”, ka shtuar Imeri.

ARTIKUJT E NGJASHËM

Lëvizja për Reforma: Mustafa një qenie e etur për pushtet dhe i gatshëm për të shkelur mbi çdokend dhe gjithçka

PreshevaPRESS

PDSH dhe PVD do të ndajnë pushtetin në Organin e përkohshëm, PreshevaPRESS mëson ndarjen e pozitave

PreshevaPRESS

Shqiptim Arifi pas emërimit të organit të përkohshëm:

PreshevaPRESS